ELBASANI NË DOKUMENTET OSMANE, ÇFARË NUK DIMË PËR QYTETIN E VITEVE 1892-1908

 

Nëpërmjet dokumenteve, historisë i shtohet një botim me mjaft interes me autore dr. Zhuljeta Kadilli Daja. Duke zgjedhur si titull një periudhë historike mes viteve 1892-1908, autorja ka shfletuar regjistrat osmanë për të na sjellë Elbasanin e kësaj periudhe me më shumë dritë përmes dokumenteve. Në këtë monografi, autorja trajton aspekte të jetës ekonomike, sociale, urbane dhe fetare të qytetit të Elbasanit. Regjistrat osmanë kanë sjellë elemente mjaft interesante për ekzistencën e esnafëve, lagjeve, dyqaneve, xhamive, rrugëve, etj. Kryesisht studiuesja është ndalur në rënien e esnafëve dhe kalimin drejt punishteve zejtare dhe fabrikave si një formë e re prodhimi. 

66403198 665900517211863 3249919487079612416 n
66450122 665900477211867 6501084003573956608 n
66595063 665900480545200 5958385448018509824 n

Në këtë periudhë, qyteti filloi të marrë një pamje tjetër, të pasqyrojë deri diku zhvillimin me ndërtime në rrugë, dyqane, shtëpi banimi, ndërtesa publike dhe lagje me një konfigurim të ri. Përveçse plotëson studimet për historinë e qytetit, ky studim do të shërbejë për ringjalljen e traditës sidomos në disa fusha të zejtarisë. Lexuesi, nëpërmjet këtij libri, mund të përfytyrojë qytetin si ka qenë në pikëpamje urbanistike përgjatë periudhave historike. Toponimia dhe mikrotoponimia zë një vend të rëndësishëm në këtë libër. Nga regjistrat konstatohet se ende në qytet ekzistonin esnafet e disa zejeve, por sigurisht të çliruara disi nga rregullat e mëparshme. Në këtë kohë, Elbasani, ndonëse jo në nivelin e zhvillimit të shekullit 17, renditej ndër ato qytete që e kishin ruajtur disi traditën. Prodhimet e argjendarëve, biçakçinjve, kazazëve, terzinjve, japakçillerëve ishin të njohur në të gjithë perandorinë. Gjithashtu besimi fetar është një kapitull më vete në këtë studim. 

Autorja ka nxjerrë në pah marrëdhëniet vëllazërore midis feve duke mbizotëruar fryma e tolerancës dhe mirëkuptimit. Për të përmbushur të gjithë objektivat e saj, studiuesja ka përdorur një numër të madh referencash nga autorë me emër, ndër të cilët Zija Shkodra, Valentina Duka, Machiel Kiel, Aleks Buda, por burim kryesor i të dhënave është përmbledhja e regjistrave osmanë Daimi dhe Jokllama, të cilat i përkasin viteve 1892-1908 pranë Arkivit Qendror të Shtetit. Këto regjistra janë dokumente me vlerë të zyrës së kadastrës për regjistrimin e të gjithave llojeve të pronave në Sanxhakun e Elbasanit dhe vjeljen e taksave gjatë kryerjes së veprimeve, si kalim trashëgimie, dhurim, shitblerje, pjesëtim ndërmjet bashkëpronarëve, lënie peng për marrje borxhi dhe dhënie me qira. Daimi është një regjistër kadastral për veprimet ditore që kryheshin nga kadiu i qytetit, ndërsa Jokllama regjistër i verifikimit të veprimeve që ka kryer kadiu.